**Kuvendi i Kosovës mblidhet të enjten, pritet të shqyrtojë tre projektligje kyçe**
Seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, duke filluar nga ora 12:00.
Në rend dite, ndër pikat kryesore, parashikohet shqyrtimi i parë i tre projektligjeve të rëndësishme: Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave; Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë; dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Deputetët gjithashtu do të shqyrtojnë Raportin e Auditorit të Përgjithshëm mbi auditimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2025. Përveç kësaj, seanca do të trajtojë propozimet e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listës Serbe për zëvendësimin ose emërimin e anëtarëve të rinj në komisionet parlamentare.
