Policia e Kosovës, respektivisht Sektori i Hetimeve i Departamentit për Kufi në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me AKI-në, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me datën 03.11.2026, ka realizuar një operacion policor, që ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në kontrabandimin e migrantëve.

Operacioni është zhvilluar në vazhdën e veprimeve intensive hetimore lidhur me rastin, pasi i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se si pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal ndërkombëtar, i cili shtrihet në disa shtete të Ballkanit dhe vende të Bashkimit Evropian, ka kryer veprën e lartcekur.

Sipas hetimeve të deritanishme, roli i të dyshuarit në këtë strukturë kriminale ishte rekrutimi i shoferëve, të cilët më pas i pajisnin me automjete, mjete financiare dhe harta të sakta të lëvizjes dhe të njëjtit ngarkoheshin me detyrën për të bartur migrantë ilegalë nga kufiri i Turqisë në Greqi (fillimisht në Selanik), për të vazhduar tutje tranzit përmes shteteve të tjera drejt Evropës.

Nga njësitë kompetente policore lidhur me rastin është realizuar edhe bastisja e banesës së të dyshuarit në Prishtinë, ku në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar përkohësisht:

· para të gatshme në vlerë prej 1,760 euro

· fletë-transaksione të ndryshme financiare

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh për procedura të mëtejshme ligjore.