**Katër aeroplanë u ulën të sigurt pas kërcënimeve me bombë në Evropë**
Katër aeroplanë që kryenin fluturime nëpër Evropë janë ulur të sigurt, pasi u bënë objekt i kërcënimeve me bombë. Fluturimet, me origjinë nga Londra, Mançesteri, Kopenhaga dhe Izraeli, u prekën, por kontrollet e kryera pas uljes nuk zbuluan lëndë shpërthyese.
Autoritetet polake konfirmuan marrjen e kërcënimeve me bombë për dy fluturime drejt Varshavës. Njëri prej tyre, i Scandinavian Airlines nga Kopenhaga, u ul në Aeroportin “Chopin” të Varshavës, ku iu nënshtrua një kontrolli të thellë sigurie pa zbuluar mjete shpërthyese. Fluturimi tjetër, i kompanisë polake LOT nga “Heathrow” i Londrës, u ridrejtuar drejt Aeroportit “Modlin” afër kryeqytetit polak. Edhe aty, pas uljes së sigurt, kontrollet nuk gjetën asgjë.
Ndërkohë, një aeroplan i Ryanair nga Mançesteri bëri një ulje emergjente në Murcia të Spanjës, pas një tjetër kërcënimi. Po ashtu, një fluturim nga Izraeli u detyrua të ulej në Sofje të Bullgarisë. Zyrtarët spanjollë theksuan se as në fluturimin e ulur në Murcia nuk u gjetën lëndë shpërthyese.
Këto incidente vijnë një ditë pasi një aeroplan i Wizz Air, që fluturonte nga Londra Luton, bëri një ulje emergjente në Budapest, i shoqëruar nga një avion luftarak hungarez, po ashtu pas një alarmi për bombë gjatë fluturimit.
Për shkak të alarmeve, Aeroporti “Chopin” mbylli përkohësisht një pistë, por operacionet vazhduan me vështirësi. Aeroporti “Modlin” u mbyll plotësisht për një periudhë pas uljes së avionit të LOT-it, por më pas u rihap dhe po funksionon normalisht. Të gjithë aeroplanët janë kontrolluar dhe pasagjerët janë evakuuar pa probleme.
