**KFOR bashkon paqeruajtësit nga 31 shtete në marshimin tradicional danez “DANCON March”**
Paqeruajtës të misionit të KFOR-it, të ardhur nga 31 shtete kontribuuese, morën pjesë në marshimin tradicional “DANCON March”, i cili u zhvillua në Kampin Novo Selo. Ky marshim, një traditë shumëvjeçare e Ushtrisë Daneze, synon të forcojë qëndrueshmërinë fizike dhe frymën ekipore ndërmjet pjesëtarëve të misionit paqeruajtës.
Sipas KFOR-it, kjo ngjarje është shndërruar ndër vite në një simbol të vërtetë të unitetit dhe frymës së tij, duke bashkuar “31 shtete kontribuuese në një mision dhe me një qëllim të përbashkët, duke qëndruar krah për krah si një ekip i përbashkët”.
KFOR thekson se forca e tij qëndron pikërisht në unitet. Duke tejkaluar kufijtë dhe duke përballuar sfidat së bashku, paqeruajtësit dëshmojnë forcën, paanshmërinë dhe vendosmërinë e KFOR-it për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, në të mirë të të gjitha komuniteteve.
