Kandidati nga Kosova i Listës Studentore: S’do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe
**Beograd, 7 nëntor** – Jugosllav Gashiq, kandidat i Listës Studentore nga Kosova, deklaroi më 7 nëntor se bashkëpunimi me Listën Serbe është i pamundur. Sipas tij, “me dikë që gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë fajtori kryesor dhe përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhen serbët, nuk mund të ketë bashkëpunim.”
Lista Studentore, e dalë nga protestat antiqeveritare në Serbi, fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në fund të tetorit. Kjo fitore rrëzoi nga pushteti pas 14 vjetësh ish-presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe partinë e tij, Partinë Përparimtare Serbe (SNS), raporton Radio Evropa e Lirë.
Për më shumë se një dekadë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka dominuar përfaqësimin politik të këtij komuniteti. Kjo parti u themelua dhe ka vepruar deri më tani në Kosovë me mbështetjen e SNS-së dhe ish-presidentit serb Vuçiq. Aktualisht, ajo zotëron nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe drejton të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Gashiq përsëriti qëndrimin e tij të shprehur në fund të tetorit për radion lokale “Kim” në Kosovë, duke theksuar se Lista Serbe ishte “zbatuesja e politikave të SNS-së” në Kosovë dhe se “nuk duam asnjë kontakt e asnjë bashkëpunim me ta.”
Ai shtoi se, edhe pse Lista Serbe ka pozicione të caktuara institucionale, këto pozicione “nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia e mundshme penale për veprimet që kanë kryer.” Gashiq u shpreh për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) se “ekzistojnë mekanizma të ndryshëm, por më e rëndësishmja është se ata do të mbahen nën kontroll.”
Sipas Gashiqit, ata që janë përgjegjës për “situatën në të cilën ndodhet populli serb” nuk kanë të drejtë morale “të flasin për atë që do të duhet të bëjë dikush tjetër.”
Ai u bëri thirrje serbëve të jenë të qetë, duke siguruar se “nuk do të ndërpritet asnjë ndihmë financiare.” Gashiq paralajmëroi serbët të mos bien pre e thashethemeve që vijnë nga Lista Serbe gjatë kësaj periudhe tranzicioni, si ato për humbjen e pagave, ndihmës sociale, apo gjoja tradhtia e Kosovës. Ai theksoi se “derisa ne ende nuk e kemi marrë efektivisht pushtetin, duhet të jeni të kujdesshëm ndaj spekulimeve.”
Duke folur për qëndrimin e qeverisë në largim në Beograd ndaj serbëve në Kosovë, ai tha se autoritetet nga SNS-ja kishin proklamuar kujdes për serbët në Kosovë, por në të vërtetë, sipas Gashiqit, “ky pushtet ka tradhtuar interesat kombëtare të serbëve.”
Gashiq foli edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ai theksoi se përfaqësuesit e pushtetit të ri në Serbi do të rishikojnë të gjitha marrëveshjet e arritura mes palëve përmes Marrëveshjes së Brukselit.
Bartësi i Listës Studentore, Ilija Srdanoviq, i kishte thënë më herët REL-it se vazhdimi i dialogut për “çështjen e Kosovës dhe Metohisë” është pjesë e planit të tyre. Sipas Gashiqit, edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare do të jenë nën rishikim, me qëllim që autoritetet e reja të korrigjojnë çdo të metë të mundshme.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për mënyrën se si qeveria e kaluar [në Beograd] është sjellë ndaj popullit në Kosovë dhe Metohi. Atyre u është cenuar dinjiteti, janë përballur me presion, imponim të vullnetit politik dhe shantazh përmes vendeve të punës. Nëse asgjë tjetër, pres që shumë shpejt, si disa nga rezultatet e para, të shohim çlirimin dhe lirinë e popullit për të shprehur lirshëm mendimin e vet dhe, në këtë mënyrë, për të rikthyer dinjitetin që ka humbur,” u shpreh Gashiq.
Në zgjedhjet e 25 tetorit, Lista Studentore fitoi 52.54 për qind të votave, ndërsa SNS-ja e Vuçiqit mori 39.29 për qind. Autoritetet zgjedhore në Serbi shpallën rezultatet përfundimtare këtë javë, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja. Pritet që Lista Studentore të formojë vetë Qeverinë e re të Serbisë, por ende nuk ka shpallur kandidatin për kryeministër dhe një program të qartë politik.
Pas zgjedhjeve në Serbi, Lista Serbe deklaroi se “i pranon” rezultatet parlamentare, duke shtuar se mbetet e përkushtuar ndaj lidhjeve institucionale me Beogradin.
