Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që nesër, më 8 nëntor, të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote, ndërsa për 29 vende në këtë institucion garojnë katër lista me gjithsej 107 kandidatë.
Ai ka theksuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.
Kurti ka vënë në pah rëndësinë e këtij institucioni në përfaqësimin e shqiptarëve, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Ai ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.
Kreu i Qeverisë ka ritheksuar se Kosova do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët e këtyre tri komunave përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë, si dhe mbështetjes për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.
Në fund, Kurti i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike të votës, lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre.
Të dashur qytetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës,
Nesër, më 8 nëntor, 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Katër lista zgjedhore, me gjithsej 107 kandidatë, garojnë për 29 vende në këtë institucion përfaqësues.
Pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022. Një rikthim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre kolektive.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka autorizime publike në arsim, kulturë, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës e shkrimit shqip. Nga shkolla shqipe e tekstet mësimore, te institucionet kulturore, mediat në gjuhën shqipe dhe ruajtja e identitetit kombëtar.
Pavarësisht pengesave nga institucionet e shtetit serb, pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit institucional, shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen në vendlindje.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Me tekste mësimore, bursa për nxënës e studentë, mbështetje për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.
Nesër, ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje dhe ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës, lirshëm e sipas bindjes suaj.
Për të drejta të barabarta dhe për të ardhmen në vendlindje!
