**Vdes një 48-vjeçar në Mitrovicë, dyshohet se ra nga lartësia e një objekti**

Ilir Brahimi, një 48-vjeçar nga Koshtova, ka ndërruar jetë mëngjesin e së dielës në Mitrovicë. Dyshohet se viktima ka rënë nga lartësia e një objekti banesor.

Policia e Kosovës, për rajonin e Mitrovicës jugore, ka konfirmuar rastin duke njoftuar se është nisur një “Hetim mbi vdekjen”.

Zëdhënësi i Policisë, Zahiti, ka dhënë detaje rreth ngjarjes: “Sot, rreth orës 05:30, Policia në Mitrovicë ka pranuar informatën se në rrugën “Ali Zeneli” është gjetur pa shenja jete një person i gjinisë mashkullore, rreth 48-vjeçar. Njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.”

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.