Seanca e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i cili akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, pritet të vazhdojë gjatë ditës së sotme.
Nika ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt. Mirëpo, Gjykata e Apelit e miratoi ankesën e mbrojtjes, duke e kthyer rastin për rigjykim.
Në seancën e mbajtur më 28 maj 2024, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, tashmë të ndjerën Maria Clara Urdangaray, fillimisht e goditi atë në vazhdimësi dhe tentoi ta shkelte me veturë në parkingun jashtë hotelit.
Pasi hynë në dhomën e hotelit ku ishin duke qëndruar, Nika, me dashje për ta privuar nga jeta, vazhdoi përleshjen dhe goditjet ndaj viktimës. Ai e shtyu atë në qoshe të dhomës, duke i pamundësuar largimin. Si pasojë e goditjeve dhe shtyrjeve, ai nxori kornizën e dritares dhe e hodhi të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati i gjashtë.
Si pasojë e lëndimeve të marra, Maria Clara Urdangaray ndërroi jetë në QKUK, pavarësisht trajtimit mjekësor.
Për këto veprime, Endrit Nika ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
