**Pochettino, favoriti për stolin e Unitedit, Carrick nën presion**

Mauricio Pochettino është cilësuar si favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Manchester Unitedit, ndërsa e ardhmja e Michael Carrick në “Old Trafford” mbetet e pasigurt, raporton mediumi anglez “The Standard”.

Carrickut i ishte dhënë një afat prej dy ndeshjesh për të përmirësuar rezultatet, pas humbjes ndaj Chelseat. Megjithatë, pavarësisht disa rezultateve pozitive në ndeshjet pasardhëse (një fitore dhe një barazim), presioni mbi ish-mesfushorin nuk është lehtësuar. Skuadra e tij vazhdon të gjendet në një pozicion jo të kënaqshëm në Ligën Premier, larg objektivave të klubit.

Ndër kandidatët për postin e trajnerit të Manchester Unitedit përmenden edhe Eddie Howe dhe Julian Nagelsmann. Megjithatë, Pochettino, i cili tashmë është përfshirë në listë, cilësohet si favoriti kryesor.

Argjentinasi ka shfaqur interes për një rikthim në Ligën Premier. Ai ka përvojë të mëparshme në futbollin anglez, ku drejtoi Tottenhamin, me të cilin arriti deri në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019.

E ardhmja e Carrick pritet të varet nga rezultatet e radhës, ndërsa drejtuesit e Manchester Unitedit po shqyrtojnë mundësitë për emërimin e një trajneri të ri.