Galatasaray shpreh pikëllim të thellë për Xhevat Prekazin: “Nuk do të të harrojmë kurrë”
Klubi turk, Galatasaray, ka shprehur pikëllim të thellë pas ndarjes nga jeta të legjendës shqiptare të futbollit, Xhevat Prekazi. Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e ekipit nga Stambolli.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Galatasaray shprehu dhimbjen për humbjen e ish-futbollistit, duke vlerësuar jo vetëm kontributin e tij të çmuar në fushën e blertë, por edhe karakterin dhe personalitetin që e bënë atë të veçantë.
Prekazi kujtohet veçanërisht për golat e tij të paharrueshëm dhe emocionet e fuqishme që u dhuroi tifozëve. Ai e shkroi emrin e tij me shkronja të arta në historinë e klubit turk.
“Prekazi, i cili frymëzoi një gjeneratë tifozësh të Galatasarayt me golat e tij të paharrueshëm dhe gëzimin e papërshkrueshëm, do të jetojë gjithmonë në zemrat tona. Nuk do të të harrojmë kurrë”, theksohet në reagimin e klubit.
Në fund, Galatasaray i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që e deshën Prekazin, duke u lutur për shpirtin e tij.
