Një zjarr shpërtheu rreth orës 02:20 të mëngjesit në objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë.

Ekipet profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, pas raportimit të incidentit.

Flakët kishin përfshirë një pjesë të depos në bodrumin e objektit, por falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, zjarri u lokalizua me sukses brenda pak kohe.

Ndërhyrja e shpejtë parandaloi përhapjen e flakëve në pjesët e tjera të godinës, duke shmangur kështu dëme potencialisht shumë më të mëdha.

Deri tani, nuk janë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me shkaqet e zjarrit dhe shkallën e saktë të dëmeve të shkaktuara.