Task-Forca Ndërinstitucionale në Kosovë ka nisur përgatitjet për furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit, me qëllim që të sigurojë qëndrueshmëri dhe të parandalojë rreziqet gjatë periudhës së konsumit të lartë.

Takimi i parë i Task-Forcës Ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026/2027 u mbajt në Ministrinë e Ekonomisë. Gjatë takimit, u diskutuan gjendja aktuale e sektorit, bilanci energjetik, kapacitetet prodhuese dhe kërkesa e pritshme për energji. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, KEK, ZRrE, KEDS, KESCO dhe KOSTT.

KOSTT ka njoftuar se ka rritur kapacitetet e transmetimit ndërkufitar me Shqipërinë me 150 MW, dhe me Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi me nga 100 MW. Gjithashtu, KOSTT po bashkërendon me KEDS-in për të identifikuar pikat e dobëta në rrjet gjatë periudhave me ngarkesë të lartë.

Ndërkohë, KEDS ka bërë të ditur se ka siguruar materialet e nevojshme për mirëmbajtje dhe ka kryer riparime në disa nënstacione.

KESCO, nga ana e saj, po ndërmerr masa për sigurimin e kapaciteteve shtesë të energjisë elektrike, me qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit, veçanërisht gjatë muajit dhjetor.

KEK synon të operojë me kapacitetet aktualisht në dispozicion, duke përfshirë tri blloqet e Termocentralit “Kosova A” dhe bllokun B2 të “Kosova B”. Një shqetësim i veçantë është blloku B1 i “Kosova B”, ku po zhvillohen punimet për vendosjen e sistemeve të elektrofiltrave dhe DeNOx, të cilat janë financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian. Megjithëse afati kontraktual për përfundimin e këtyre punimeve është 25 nëntori, KEK ka paralajmëruar vonesa nga ana e kontraktorit. Për këtë arsye, Task-Forca do të mbajë një takim tjetër gjatë kësaj jave, ku pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Task-Forca do të vazhdojë koordinimin gjatë gjithë sezonit dimëror, me fokus në identifikimin në kohë të sfidave, vlerësimin e rreziqeve dhe marrjen e masave për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike.