Osmani kritikon Qeverinë: Krahasohuni me premtimet tuaja, jo me të kaluarën

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka kritikuar ashpër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, gjatë seancës së fundit të Kuvendit, përmendën qeverisjet e mëparshme të viteve 2014-2018, duke i akuzuar ato për korrupsion dhe keqqeverisje.

Osmani theksoi se pushteti aktual nuk duhet të krahasojë arritjet e tij me ato të qeverive të periudhës 2014-2018, por me standardet dhe premtimet që vetë ka bërë gjatë viteve të mandatit të tij.

Në fjalën e saj, Osmani deklaroi: “A ka më marre sesa ju ta krahasoni veten me ata të viteve 2014, 2015, 2016, 2017 e 2018. Krahasohuni me vetveten, ky ka qenë standardi që e keni premtuar. Krahasojeni veten me vetveten tuaj të vitit paraprak. Dhe për këtë shërben raporti i Komisionit Evropian.”

Ajo shtoi se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është dëshmi se Kosova nuk ka shënuar përparimin e nevojshëm në fusha kyçe për jetën e qytetarëve.

Duke iu referuar sistemit të drejtësisë, Osmani theksoi se raporti evropian evidenton ndikimin politik, i cili, sipas saj, vazhdon të përbëjë një pengesë serioze për paanshmërinë dhe funksionimin e pavarur të këtij sistemi.