Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se cilësia e shërbimeve shëndetësore kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Këto deklarata ai i bëri gjatë hapjes së Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me moton “Investojmë në cilësi, ndërtojmë besim”.

Vitia vuri në dukje se ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm shëndetësor nuk varet vetëm nga investimet në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji, por mbi të gjitha nga ofrimi i shërbimeve të sigurta, profesionale dhe të përqendruara në nevojat e pacientëve. Ai sqaroi se cilësia tejkalon thjesht arritjen e një standardi; ajo është një përkushtim i pandërprerë i profesionistëve shëndetësorë ndaj pacientëve dhe profesionit të tyre.

Ministri përshëndeti pjesëmarrjen e përfaqësuesve, ekspertëve dhe profesionistëve nga vende të ndryshme, të bashkuar nga dëshira për avancimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Ai theksoi se, pavarësisht investimeve dhe angazhimit të përditshëm, rruga drejt cilësisë ka shumë sfida, të cilat asnjë institucion apo shtet nuk mund t’i përballojë i vetëm. Për këtë arsye, bashkëpunimi dhe partneritetet ndërkombëtare janë thelbësore.

Vitia rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për avancimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore, në bashkëpunim me profesionistët, institucionet vendase, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin akademik.

Nga ana tjetër, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, vuri në dukje se sektori i shëndetësisë ka qenë prej kohësh një fushë thelbësore bashkëpunimi midis dy vendeve. Ajo theksoi se përveç qasjes në shërbime, qytetarët duhet të sigurohen edhe për një kujdes shëndetësor të sigurt, efektiv dhe të përshtatshëm ndaj nevojave të tyre.

Ambasadorja theksoi se, përmes bashkëpunimit afatgjatë dhe projekteve për kujdes shëndetësor cilësor dhe të qasshëm, Zvicra ka mbështetur fort përpjekjet e Kosovës për përmirësimin e cilësisë dhe orientimin e shërbimeve drejt pacientit. Ajo shtoi se zhvillimi i sistemit të menaxhimit të cilësisë ka qenë një pikë qendrore e këtij bashkëpunimi, duke forcuar standardet dhe kapacitetet institucionale.

Sipas ambasadores, përmirësimi i cilësisë nuk kufizohet vetëm në vendosjen e standardeve, por kërkon ndërtimin e një kulture ku përgjegjësia për cilësinë ndahet nga të gjithë aktorët, përfshirë politikëbërësit, menaxherët dhe profesionistët shëndetësorë.