Ndarja e Miranda Hashanit dhe Mentor Miftarit: Ai me mesazhin prekës “Të kam dashur me shpirt e zemër”

Këngëtarja e njohur Miranda Hashani dhe partneri i saj, Mentor Miftari, i kanë dhënë fund lidhjes së tyre. Lajmin e ka konfirmuar vetë Miftari përmes një postimi emocional në rrjetet sociale.

Çifti, prindër të dy fëmijëve, kanë pasur një lidhje të gjatë. Përmes postimit të tij në Facebook, Miftari ka ndarë një mesazh të gjatë ku ka folur për ndarjen dhe ndjenjat e tij, pa specifikuar arsyet që çuan në këtë vendim.

“Mëso të mos mbash me zor pranë vetes ata që zgjedhin të largohen prej teje. Jo të gjithë do të qëndrojnë në jetën tënde, madje as ata të cilëve u ke dhënë një vend të veçantë në zemrën tënde. Pranoje që disa njerëz zgjedhin të largohen, edhe atëherë kur ti nuk i kupton arsyet e tyre. Mos e kalo kohën duke vrapuar pas shpjegimeve, duke kërkuar vëmendje apo duke u përpjekur të kuptosh heshtje që ndonjëherë flasin më shumë se një mijë fjalë,” shkruan Miftari.

Në vijim të postimit, ai konfirmon ndarjen me këto fjalë: “Të ecësh përpara nuk do të thotë të mohosh atë që ke ndier. Do të thotë ta pranosh historinë tënde, pa e lejuar të shkuarën të të pengojë të ndërtosh të ardhmen. Sepse ndonjëherë, dashuria më e madhe që mund t’i dhurosh vetes është të lësh të ikin ata që nuk zgjedhin jetën e përbashkët. Të kam dashur me shpirt e zemër e tani u ndamë.”

Postimi shoqërohej edhe me një fotografi ku shfaqet së bashku me këngëtaren. Deri më tani, Miranda Hashani nuk ka bërë ende asnjë koment publik lidhur me këtë ndarje.