Kurti takohet me presidentin zviceran Parmelin, në fokus bashkëpunimi dypalësh dhe Marrëveshja EFTA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është takuar dje me presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), raporton Ekonomia Online.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti theksoi se fokusi i bisedës ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh. Ai vuri në dukje se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve janë forcuar nga lidhja e fortë e mërgatës kosovare me popullin dhe shtetin zviceran.

Kryeministri shprehu mirënjohje për kontributin e Zvicrës dhe theksoi se muajin e kaluar ka nisur një kapitull i ri bashkëpunimi, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë (EFTA). Kjo marrëveshje, sipas Kurtit, përfshin si tregtinë e mallrave, ashtu edhe atë të shërbimeve.