Deputetja Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka theksuar nevojën urgjente që sektori i shëndetësisë të bëhet prioritet kryesor i Qeverisë, duke argumentuar se qytetarët po përballen me mungesë kritike barnash, pritje të gjata dhe barrë të rëndë financiare për të siguruar kujdesin mjekësor të domosdoshëm.

Këto deklarata, Kadrijaj i bëri gjatë një interpelance me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, e cila u thirr pas rastit tragjik të vdekjes së një pacienteje me kancer gjiri, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe për mungesën e përgjithshme të barnave onkologjike. Ajo ngriti gjithashtu çështjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

Deputetja i kërkoi Qeverisë një angazhim më të thellë në këtë sektor, duke nënvizuar se qasja në shërbimet shëndetësore nuk duhet të jetë e kushtëzuar nga mundësitë financiare të qytetarëve.

Duke shprehur shqetësimin e saj, Kadrijaj pyeti retorikisht: “A është shëndetësia prioritet i kësaj qeverie? Aman, bëjeni prioritet se qytetarët janë në hall. Qytetarët janë në hall. Prandaj, shëndetësia nuk duhet të jetë privilegj vetëm për ata që kanë buxhet dhe mundësi financiare. Shëndetësia duhet të jetë prioritet për të gjithë ata që janë në kushte të vështira shëndetësore dhe sociale.”

Deputetja kërkoi sqarime mbi datën e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, duke theksuar se funksionalizimi i tij do të lehtësonte ndjeshëm barrën financiare mbi pacientët.

Duke iu kthyer rastit tragjik të pacientes së ndjerë, deputetja rikujtoi deklaratën e saj prekëse për vështirësitë financiare me të cilat ishte përballur për të siguruar barnat dhe për të plotësuar nevojat themelore jetësore. Ajo theksoi se megjithëse Kosova ka institucione shëndetësore, profesionistë të përkushtuar dhe strategji zhvillimore, këto nuk mjaftojnë nëse qytetari vazhdon të përballet me mungesë barnash, pritje të gjata, shpenzime të larta dhe vështirësi për të marrë trajtim në kohë. “Kur do të implementohet ligji për sigurimet shëndetësore? Sepse atëherë do të zbutet kjo çështje,” pyeti ajo. Më pas, Kadrijaj citoi fjalët e rënda të pacientes para vdekjes: “‘A me jetu a me ble barna? A me jetu a me ble barna?’ Dhe kjo duhet të na prekë të gjithëve këtu, të gjithë qytetarëve, çdo deputeti. Kjo pyetje – A me jetu a me ble barna? – duhet të prekë sidomos ata që mbajnë përgjegjësi, sepse po i vëmë njerëzit në një situatë të tillë ku duhet të zgjedhin mes blerjes së barnave dhe sigurimit të ushqimit, për shkak të mungesës së mundësive financiare,” përfundoi Kadrijaj.