Policia bastis gjashtë lokacione në Mitrovicë, arreston tre persona dhe konfiskon para, armë dhe narkotikë.

Tre persona janë arrestuar në Mitrovicën e Jugut, nën dyshimin për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, armëmbajtje pa leje dhe posedim të substancave narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë, të premten janë kontrolluar gjashtë lokacione të ndryshme, pronë e tre të dyshuarve, të cilët dyshohet se merreshin me organizimin e lojërave të fatit.

Gjatë kontrolleve, si prova materiale janë konfiskuar: nëntë telefona dhe pajisje elektronike, një DVR për kamerat e sigurisë, 6.844.80 euro, një armë pistoletë dhe 10 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Po ashtu, policia ka sekuestruar një automjet, një kavanoz me rreth 10 gramë substancë të dyshuar narkotike, katër mulli për bluarjen e narkotikëve, një cigare me substancë narkotike, si dhe një valixhe me pajisje bixhozi, përfshirë letra dhe çipa.

Mes sendeve të konfiskuara ishin edhe nëntë kartela bankare, 21 dokumente të ndryshme dhe një sprej OC.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.