**Shahini: Investitorët po tregohen më të rezervuar, Shqipëria rrezikon shtyrjen e investimeve të reja**
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shprehu shqetësimin për klimën e pasigurisë, e cila, sipas saj, po krijohet nga tensionet politike dhe protestat e vazhdueshme në Shqipëri. AKB paralajmëroi për ndikimin e tyre negativ në investime, zhvillimin ekonomik dhe funksionimin normal të bizneseve.
AKB theksoi se e drejta demokratike për protestë duhet respektuar, por përplasjet politike nuk duhet të cenojnë zhvillimin ekonomik, sigurinë e qytetarëve dhe veprimtarinë e bizneseve.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, bëri të ditur se një pjesë e investitorëve kosovarë janë bërë më të rezervuar dhe po ngadalësojnë vendimmarrjen për investime të reja në Shqipëri.
Sipas Shahinit, pasiguria politike, tensionet institucionale dhe mungesa e një klime të qëndrueshme ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e investitorëve dhe në planet afatgjata të biznesit.
“Investitorët nuk investojnë aty ku mungojnë stabiliteti, siguria juridike dhe parashikueshmëria”, tha Shahini.
Ai u bëri thirrje pozitës, opozitës dhe institucioneve shqiptare që, përmes dialogut dhe përgjegjësisë shtetërore, të krijojnë një klimë të qëndrueshme për investime.
Sipas AKB-së, Shqipëria nuk duhet të rrezikojë humbjen ose shtyrjen e investimeve për shkak të krizave politike, ndërsa ekonomia nuk duhet të mbetet peng i interesave partiake.
Në reagimin e saj, AKB nënvizoi se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të forcohen, duke krijuar më shumë mundësi për investime, prodhim, eksporte dhe punësim.
“Kapitali nuk pret pafundësisht – ai shkon aty ku gjen siguri, stabilitet dhe perspektivë”, deklaroi Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).
