Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër politikat ekonomike të Qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas Hotit, gjatë periudhës 2022-2026, vendi ka përjetuar rritje ekonomike më të ulët dhe inflacion më të lartë, krahasuar me kohën kur qeveriste LDK-ja.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoti theksoi se, edhe pse ekonomia globale ka kaluar nëpër zhvillime të ndryshme, Qeveria nuk ka ndërmarrë masat e duhura fiskale për të zbutur inflacionin, e as masa makroekonomike për të nxitur rritjen.
Ai shtoi se fokusi i ekzekutivit është përqendruar kryesisht te skemat sociale dhe subvencionet, ndërsa moszbatimi i projekteve kapitale ka penguar injektimin e qindra miliona eurove në ekonomi.
Hoti përmendi si shembull vende të Bashkimit Evropian, të cilat, përballë inflacionit, kanë ulur ose hequr përkohësisht taksat për karburantet, energjinë dhe mallra të tjera. Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës për mosndërmarrjen e masave të tilla, duke vlerësuar se kjo ka ndikuar në shtrenjtimin e kostos së jetesës për familjet.
Sipas Hotit, rritja e çmimeve ka bërë që familjet të shpenzojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave për ushqime, duke kufizuar shpenzimet për nevoja të tjera thelbësore, të cilat ndikojnë në cilësinë e jetës dhe zhvillimin afatgjatë të fëmijëve.
