**Prokuroria kërkon paraburgimin e ish-ministrit Astrit Haraqija dhe pesë të tjerëve, publikohet dosja e plotë**
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për ish-ministrin e Kulturës, Astrit Haraqija, dhe pesë persona të tjerë, të arrestuar në një aksion kundër trafikimit të kokainës. Kërkesa i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa të përfshirët janë: Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të pandehurit dyshohen se, si anëtarë të një grupi të organizuar dhe në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, kanë kryer trafikim kokaine. Ata akuzohen se, me qëllim përfitimi të paligjshëm, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për Barnat Narkotike, kanë poseduar, dorëzuar, shitur dhe shpërndarë kokainë në zona të ndryshme të Prishtinës, nga një periudhë e mëparshme deri më 14 nëntor 2026. Emrat e përfshirë në këtë dyshim janë Jeton, Gëzim, Arjanit, Baftije, Albana, Astrit, Mërgim, Albert dhe Alban.
Kërkesa detajon rolet e dyshuara: Jeton Stanovci, si kryesues i grupit, dyshohet se furnizohej me kokainë nga Mërgim (i cili ndodhet në arrati), Astrit Haraqija dhe Alban Maloku. Substanca më pas ndahej në sasi të vogla dhe i dorëzohej Gëzim Fekës, i cili një pjesë e mbante vetë dhe pjesën tjetër ua jepte dy anëtarëve të tjerë, Arjanit Beqirit dhe Albert Krasniqit. Këta të fundit dyshohet se e shpërndanin kokainën në doza të vogla, shpesh përmes veturave me qira.
Baftije Feka, bashkëshortja e Gëzimit, dyshohet se ruante sasitë e kokainës që shitej dhe menaxhonte paratë e fituara.
Albana Xhemajli-Ramadani, bashkëjetuese e Jeton Stanovcit, akuzohet se mblidhte paratë nga shitjet e kryera nga Gëzimi, Arjaniti dhe Alberti. Këto pagesa, sipas Prokurorisë, barazoheshin çdo të diel, dhe grupi furnizohej me sasi të reja për shpërndarje javore.
Për këto veprime, anëtarët e grupit dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas neneve 267, par.2 dhe 275, par.1, pika 1.1., 1.6., dhe 1.9. të Kodit Penal, në lidhje me nenin 77.
Gjithashtu, Astrit Haraqija dyshohet se ka poseduar në banesën e tij, pa leje dhe në kundërshtim me ligjin, një pistoletë, e cila u gjet dhe u sekuestrua nga Policia gjatë bastisjes, bashkë me një karikator dhe gjashtë fishekë. Kjo dyshohet të ketë ndodhur deri më 15 nëntor 2026. Për këtë veprim, Haraqija akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”, sipas nenit 366, par.1 të Kodit Penal.
Hetimet, sipas Prokurorisë, filluan fillimisht për trafikim narkotikësh ndaj Jeton Stanovcit, Gëzim Fekës, Arjanit Beqirit dhe persona të panjohur. Më pas, me autorizimin e masave të veçanta hetimore, u identifikuan Albana Xhemajli dhe Baftije Feka, kundër të cilave më 22 maj 2026 u mor aktvendim për fillimin e hetimeve. Më 27 korrik të po atij viti, hetimet u zgjeruan edhe ndaj Albert Krasniqit dhe Mërgim Stanovcit.
Më 14 nëntor 2026, Prokuroria filloi zbatimin e kontrolleve, dhe provat e grumbulluara çuan në dyshimin e bazuar për përfshirjen e Astrit Haraqijës dhe Alban Malokut, për të cilët më 15 nëntor 2026 u lëshua aktvendim për zgjerimin e hetimeve.
Prokuroria vlerëson se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Arsyet përfshijnë: ekzistencën e dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale, rrezikun e arratisjes së të pandehurve, mundësinë e asgjësimit ose ndryshimit të provave dhe ndikimit tek dëshmitarët, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Nga zbatimi i masave të veçanta hetimore, Prokuroria thekson se Jeton Stanovci është parë duke dalë nga objekti banesor ku banon edhe Astrit Haraqija. Në këtë objekt, dyshohet se Jetoni, Mërgimi dhe Astriti takoheshin për të përgatitur substancën narkotike të furnizuar nga Mërgimi, e cila ndahej në sasi të vogla dhe më pas i dorëzohej Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje.
Në banesën e Haraqijës, përveç armës, u sekuestruan edhe para dhe dy telefona iPhone. Dokumenti i Prokurorisë rendit edhe sendet e tjera të gjetura dhe sekuestruara në banesat e të dyshuarve të tjerë, përfshirë para, telefona dhe vetura.
Prokurori Arben Hoti, në kërkesën e tij, thekson se masat alternative të sigurisë në këtë rast konsiderohen të pamjaftueshme për garantimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale.
Kujtojmë se avokati Korab Bokshi, mbrojtës i Haraqijës, konfirmoi të dielën për “Betimi për Drejtësi” se klienti i tij ishte arrestuar nën dyshimin për trafikim narkotikësh.
Bokshi deklaroi se Haraqija u arrestua “për veprën penale që dyshohet për kontrabandim me narkotikë”. Ai shtoi se kontrollet në banesën dhe te familja e Haraqijës nuk gjetën “asgjë inkriminuese”. “Kanë sekuestruar përkohësisht disa të holla, të cilat kanë qenë kursime të fëmijëve të tij prej punës së tyre – domethënë nuk janë të Astritit fare”, citoi avokati.
Avokati Bokshi njoftoi se ka paraqitur ankesë ndaj aktvendimit për ndalimin 48-orësh, duke theksuar se Haraqija ka mohuar çdo përfshirje në këtë vepër penale. “Sipas Astritit, nuk ka të bëjë me këtë vepër fare, për shkak se ai si figurë publike ka mundur të takohet me ndonjë person apo të ketë pasur ndonjë komunikim, por kurrë asnjëherë në lidhje me këto vepra penale ose çfarëdo natyre të tillë”, citoi avokati Bokshi.
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), njoftoi të dielën, më 15 nëntor, se më 14 nëntor kishte realizuar një operacion të gjerë policor, të koduar “Heshtja”. Ky operacion, i zhvilluar në rajonin e Prishtinës, rezultoi me goditjen e një grupi të organizuar, të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës. Lidhur me këtë operacion, Policia bëri të ditur se ishin arrestuar gjashtë persona dhe ishin sekuestruar drogë, si dhe asete të tjera me vlerë mbi 300 mijë euro.
