Ka filluar seanca gjyqësore për shpalljen e aktgjykimit në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarve, të cilët përballen me akuza për pengim të dyshuar të drejtësisë.
Gjykatësi Christopher Gosnell ka nisur leximin e përmbledhjes së aktgjykimit në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai ka deklaruar se, sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dyshohet se ka organizuar tri grupe me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn dhe Isni Kilajn, gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Përveç Thaçit, në këtë rast akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.
Gjykata ka pranuar 241 prova materiale të paraqitura nga Prokuroria, ndër të cilat janë edhe audioincizimet e bisedave mes Thaçit dhe të bashkëakuzuarve, të regjistruara gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Sipas gjykatësit, regjistrimi i këtyre bisedave ishte bërë me autorizim të gjykatës.
Gjykatësi specifikoi se Thaçi akuzohet si drejtues ose organizator i secilit grup, me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve. Sipas aktakuzës, ai u ka zbuluar vizitorëve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët. Të akuzuarit përballen me akuzën e tentativës për pengim të drejtësisë nëpërmjet veprimeve të përbashkëta të personave zyrtarë, duke mos respektuar urdhrat e gjyqtarëve në çështjen 6, të cilët ndalonin kontaktin me dëshmitarët e prokurorisë.
Më konkretisht, pretendohet se Thaçi organizoi tri grupe me z. Fazliu, z. Smakaj dhe z. Kilaj gjatë vizitave të ndryshme të tyre tek ai në objektin e paraburgimit në Hagë, në korrik, shtator dhe tetor 2023. Qëllimi i secilit grup ishte t’i përcillte udhëzime një dëshmitari të prokurorisë për të përgatitur dëshminë e tyre.
Gosnell shtoi se, duke qenë se objekt i pengimit ishin gjykatës dhe prokurorë, kjo përbën një formë të rënduar të veprës penale, ndërsa Thaçi akuzohet si drejtues ose organizator i secilit grup. Përveç kësaj, thuhet se Thaçi u ka zbuluar vizitorëve të tij informacione konfidenciale rreth dëshmitarëve, duke shkelur fshehtësinë e procedurave. Disa nga këto informacione kishin të bënin me një dëshmitar të mbrojtur (Dëshmitari 4), për të cilin Thaçi akuzohet sipas nenit 392-2. Për nxjerrjen e informacioneve dhe tentativën e komunikimit tërthorazi, Thaçi akuzohet gjithashtu për mosbindje ndaj Gjykatës.
