Anëtari i FSK-së lirohet nga akuzat në Mbretërinë e Bashkuar

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se dje, më 16 nëntor 2026, anëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bali Hoxha, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Crown Court në Norwich, Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë seancës, Prokuroria konfirmoi se nuk do të paraqiste prova kundër tij, çka bëri që gjykata të urdhëronte regjistrimin e vendimit lirues për akuzën e përdhunimit. Me këtë vendim, të gjitha procedurat gjyqësore ndaj Bali Hoxhës kanë marrë fund.

Ministria e Mbrojtjes rikonfirmoi përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit, pavarësisë së drejtësisë dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.

28-vjeçari, i cili ishte i stacionuar në Kampin West Tofts në Thetford, Norfolk, Angli, akuzohej për përdhunim dhe dy sulme seksuale ndaj një gruaje. Kjo ngjarje e dyshuar kishte ndodhur ndërsa Hoxha po ndihmonte në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase.

Hoxha i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Incidenti i dyshuar, sipas hetimeve, kishte ndodhur rreth orës 23:30 të 17 shtatorit, përgjatë një shtegu këmbësorësh mes Rrugës Prince of Wales dhe Parkut Tregtar Riverside.