Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 24 vjet burgim B.S., i cili akuzohej për vrasjen e S.S. në Podujevë, ngjarje kjo e ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje pronësore. Vrasja, e kryer me armë zjarri, ndodhi më 26 mars 2023.
B.S. u shpall fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë, si dhe për mbajtje pa leje të armëve. Dënimi i bashkuar prej 24 vjetësh burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Gjithashtu, gjykata vendosi vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin deri në plotfuqishmërinë e vendimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Ndërkohë, i akuzuari I.S., i cili ngarkohej me veprën penale të ndihmës në vrasje të rëndë, u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore, për shkak të mungesës së provave.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, në fshatin Dumnicë e Epërme të Podujevës. Mosmarrëveshja pronësore mes B.S. dhe viktimës S.S. lidhej me një livadh, të cilin i ndjeri ia kishte dhënë për të punuar familjes së të akuzuarit. Mbrëmjen e ngjarjes, B.S. kishte vërejtur S.S. teksa shkonte me veturë në drejtim të tokave të tij. B.S. e kishte ndjekur dhe, me qëllim për ta privuar nga jeta, kishte qëlluar me armë zjarri dy herë në kokë viktimën, duke i shkaktuar plagë fatale. S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
B.S. është detyruar gjithashtu të paguajë 100 euro për shpenzimet gjyqësore dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, të gjitha këto brenda 15 ditësh nga data e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Palët kanë të drejtë të ankohen kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda 30 ditësh. Pala e dëmtuar është udhëzuar të ndjekë rrugën civile për realizimin e kërkesave pasurore-juridike.
