Kosova shënon progres të rëndësishëm në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, duke arritur një mbulueshmëri të lartë me vaksinën kundër HPV-së.
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se Kosova ka avancuar ndjeshëm në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Sipas të dhënave, 87% e grupit të synuar, që përfshin nxënësit e klasave të gjashta (vajza dhe djem), janë vaksinuar kundër Virusit të Papilomës Njerëzore (HPV).
Ky rezultat, theksoi ministria, përbën një arritje kyçe në mbrojtjen e gjeneratave të reja dhe në parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga ky virus. Aktualisht, Republika e Kosovës renditet ndër vendet me mbulueshmërinë më të lartë të vaksinimit kundër HPV-së në raport me vendet e rajonit.
Këto të dhëna u prezantuan në tryezën e organizuar nga MSh dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), me rastin e Ditës Botërore kushtuar eliminimit të kancerit të qafës së mitrës, nën moton “Së bashku drejt eliminimit të kancerit të qafës së mitrës”.
Vaksina kundër HPV-së u përfshi në kalendarin e rregullt të vaksinimit në vitin 2023. Vaksinimi i vajzave nisi në vitin 2024, ndërsa në vitin 2025 programi u zgjerua edhe për djemtë. Përmes këtij programi, MSh ka zgjeruar mbrojtjen dhe qasjen në vaksinim për të dyja gjinitë.
Përveç fushatës së vaksinimit, MSh ka nisur zbatimin e Planit të Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës 2026–2028. Janë hartuar dhe miratuar Procedurat Standarde Operative për skriningun, si dhe është iniciuar procesi i sigurimit të kompleteve dhe testeve për Pap-test në institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor, me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbimet e skriningut dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 119 raste të reja të kancerit të qafës së mitrës. Zgjerimi i vaksinimit dhe zbatimi i programeve të skriningut përbëjnë hapa thelbësorë drejt parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, ndërsa grave u kërkon të informohen pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare për kontrollet parandaluese dhe mundësitë e skriningut.
