Kombëtarja e Izraelit e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi 1-0 ndaj Austrisë, falë një super-goli të shënuar me gërshërë nga Dor Peretz.

Austriakët e nisën më mirë takimin dhe rrezikuan fillimisht me goditjet me kokë të Nicolas Seiwald (6’) dhe David Affengruber (8’), por pa saktësi, shkruan IndeksOnline.

Rasti më i mirë për mysafirët erdhi në minutën e 32-të, kur Konrad Laimer goditi fuqishëm brenda zonës, por topi u ndal nga shtylla tërthore.

Pak minuta më pas, të dy portierët shkëlqyen me pritjet e tyre, fillimisht Lukas Jungwirth ndali goditjen e Oscar Gloukh (34’), ndërsa në anën tjetër Daniel Peretz reagoi mrekullisht ndaj Raul Florucz (35’). Megjithatë, në minutën e 36-të, pas një krosimi të saktë nga Eli Dasa, Dor Peretz realizoi një gol spektakolar me gërshërë për 1-0.

Austria provoi të barazonte në minutën e 40-të përmes Sasa Kalajdzic, por portieri Daniel Peretz ishte sërish i pakalueshëm, duke ia siguruar Izraelit avantazhin minimal pas 45 minutave të para. /IndeksOnline/