Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme policore, Policia e Kosovës në fokus ka edhe parandalimin dhe luftimin e kontrabandimit me mallra.

Si rezultat i angazhimeve policore dhe bashkëpunimit me qytetarët, zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, sot, më 17.11.2026, në dy raste të ndara kanë arritur të parandalojnë dy raste të dyshuara të kontrabandimit me mallra.

RASTI I

Si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët, rreth orës 16:30, zyrtarët policorë në fshatin Kamen të Leposaviqit kanë ndaluar një autobus, pasi paraprakisht kishin pranuar informacione se në bagazhin e tij mund të kishte mallra të dyshimta.

Gjatë kontrollit të autobusit, në hapësirën e bagazhit janë gjetur të fshehura dymbëdhjetë (12) paketa me cigare të llojeve të ndryshme, ku secila paketë përmbante nga 50 boksa me cigare.

Shoferi i autobusit ka deklaruar se cigaret i kishte blerë në qytetin e Mitrovicës. Lidhur me rastin janë njoftuar edhe inspektorët e Agjencisë Tatimore të Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se për mallrat e blera nuk posedoheshin dokumente valide, sipas procedurave ligjore.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që ndaj shoferit të autobusit të iniciohet rast penal për veprën penale “Tregti e ndaluar”. Ndërsa, ndaj lokalit në Mitrovicë, nga ku dyshohet se janë blerë cigaret, inspektorët do ta trajtojnë sipas procedurave të tyre.

RASTI II

Rreth orës 20:00, zyrtarët policorë kanë ndaluar për kontroll dy automjete në fshatin Mihaliq, komuna e Leposaviqit.

Gjatë kontrollit të automjeteve janë gjetur mallra të ndryshme, përfshirë cigare, pije alkoolike, detergjente dhe produkte të tjera, për të cilat dyshohet se nuk janë të pajisura me dokumentacionin përkatës.

Në lidhje me rastin, me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, mallrat e gjetura janë proceduar për në Doganën e Republikës së Kosovës, për trajtim dhe procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme, përfshirë kontrabandimin me mallra, duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe informatat e ofruara ne inkurajojmë qytetaret që për çdo rast te dyshimtë te raportojnë në numrin 192.