Xhavit Haliti, dëshmitar në një proces për krime të rënda në Belgjikë
Ish-deputeti dhe funksionari i lartë politik, Xhavit Haliti, është thirrur zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme e Brukselit për të dëshmuar në një proces gjyqësor të rëndësishëm në Belgjikë. Lajmi bëhet i ditur nga portali IndeksOnline.
Sipas një dokumenti zyrtar të përmbaruesit gjyqësor, zoti Haliti duhet të paraqitet më 19 nëntor 2026, në orën 12:00, para Gjykatës së Krimeve të Rënda me Juri, në qytetin Nivelles të provincës Brabant Wallon. Kërkohet që ai të jetë i pranishëm në gjykatë duke filluar nga ora 11:30.
Thirrja ka ardhur në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Andrija Draskovic, i lindur më 3 nëntor 1964 në Mitrovicën e Kosovës, i cili përballet me akuza për vepra të rënda penale.
Dokumenti specifikon se zoti Haliti është thirrur për të dhënë dëshmi lidhur me faktet e përfshira në aktakuzën e ngritur kundër Draskovic.
Thirrja është lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Bruksel dhe i është dorëzuar Halitit personalisht përmes përmbaruesit gjyqësor Philippe Grumbers.
Dokumenti thekson se paraqitja e dëshmitarit është e detyrueshme dhe se mosparaqitja mund të sjellë pasoja ligjore të rënda, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale belge.
Seanca gjyqësore pritet të zhvillohet në Pallatin e Drejtësisë II, në adresën Rue Clarisse 115, në Nivelles të Belgjikës.
