Forca të shumta të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës janë pozicionuar në afërsi të shtëpisë së Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar të UÇK-së, pas miratimit të vizitës së tij në Kosovë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kjo prani e shtuar rreth banesës së Krasniqit vjen pas vendimit të Gjykatës Speciale që ka lejuar vizitën e tij. Raportohet se arsyeja kryesore e ardhjes së tij lidhet me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi.

Kjo është vizita e dytë e Jakup Krasniqit në Kosovë, që prej transferimit të tij në qendrën e paraburgimit në Hagë. Më 16 shtator, Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale.