Ministrja Kusari-Lila në Forumin Kosovë-Poloni: Synojmë më shumë produkte kosovare në tregun polak
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në hapjen e edicionit të tretë të Forumit Ekonomik Kosovë-Poloni, i cili po mbahet në Prishtinë. Në këtë ngjarje marrin pjesë përfaqësues institucionalë dhe komuniteti i biznesit nga të dyja vendet.
Forumi synon të krijojë partneritete të reja dhe të nxisë investimet në sektorë me potencial të lartë zhvillimi, përfshirë ekonominë digjitale, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, prodhimin e avancuar, infrastrukturën dhe energjinë.
Në fjalën e saj para pjesëmarrësve, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e rritjes së investimeve polake në Kosovë, zgjerimit të pranisë së produkteve kosovare në tregun polak dhe krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta, me fokus në inovacion, teknologji, prodhim dhe shërbime.
Ministrja theksoi se një ndër objektivat kryesorë të Qeverisë dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është orientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, si dhe rritja e bashkëpunimit tregtar me Poloninë. Ajo shtoi se, krahas shtimit të importeve dhe partneriteteve me Poloninë, synohet zgjerimi i pranisë së produkteve kosovare në tregun polak, me qëllim që shkëmbimet tregtare të jenë më të balancuara dhe me përfitime të ndërsjella.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutuar ishte integrimi i prodhuesve kosovarë në tregun e Bashkimit Evropian, duke zgjeruar mundësitë për ofrimin e shërbimeve të montimit dhe instalimit. Ministrja bëri të ditur se po punohet drejt arritjes së marrëveshjeve dypalëshe për leje të përkohshme pune. Këto marrëveshje do t’u mundësonin kompanive kosovare të ofrojnë shërbimet shoqëruese të produkteve të tyre drejtpërdrejt te klientët në tregjet evropiane.
Forumi është organizuar nga MINT, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Poloni. Pas edicioneve të mëparshme në Prishtinë (2022) dhe në Varshavë (2024), këtë vit forumi rikthehet në kryeqytetin e Kosovës.
Në kuadër të forumit janë zhvilluar takime të drejtpërdrejta B2B (biznes me biznes) dhe B2G (biznes me qeveri) ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve dhe institucioneve të të dy vendeve, me synimin që kontaktet e krijuara të konkretizohen në kontrata, investime dhe bashkëpunime të reja ekonomike.
