Vlora Çitaku, kryetarja në detyrë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), së bashku me sekretarin për politika programore të partisë, Bajrush Xhemajli, priti në një takim lamtumire ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Takimi u zhvillua me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në Prishtinë.
Çitaku e falënderoi ambasadorin Malaj për bashkëpunimin e ngushtë dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo vlerësoi lart punën e Malajt gjatë mandatit të tij në Kosovë dhe i uroi suksese në detyrën e re si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana e tij, ambasadori Malaj shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin me PDK-në dhe vlerësoi rolin e saj historik për Kosovën dhe shqiptarët. Ai i uroi Çitakut punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësinë e saj si kryetare në detyrë e PDK-së.
Çitaku dhe Malaj diskutuan gjithashtu për ardhmërinë e përbashkët euroatlantike, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ata nënvizuan nevojën që edhe Kosova të shënojë hapa konkretë drejt realizimit të këtij vizioni shtetëror.
Gjatë takimit u shpreh solidaritet me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të ndaluar në Hagë, duke theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të paanshëm. Të dyja palët nënvizuan se mbrojtja e së vërtetës mbi luftën e UÇK-së, historia dhe ardhmëria e Kosovës, përbëjnë një mision të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Çitaku riafirmoi zotimin e PDK-së për të qëndruar pranë ish-çlirimtarëve në çdo hap të procesit të apelit. Ajo shprehu besimin se kjo fazë do të rezultojë në rrëzimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe në lirimin e tyre të plotë.
