**Nëntë raste të dhunës në familje në Kosovë brenda 24 orëve, shumica e viktimave gra**
Policia e Kosovës ka raportuar nëntë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit, të shënuara në komuna të ndryshme të vendit. Në shumicën dërrmuese të këtyre incidenteve, viktimat janë gra, ndërsa të dyshuarit burra, siç bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë.
Në rajonin e Prishtinës, janë regjistruar katër raste gjithsej. Në njërin prej tyre, një grua denoncoi dhunën e ushtruar nga një burrë. Pas intervistimit, i dyshuari u lirua me vendim të prokurorit, ndërsa rasti do të hetohet në procedurë të rregullt. Në rastin e dytë, një i dyshuar u dorëzua vetë në polici, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje më 12 nëntor. Ai u dërgua në mbajtje pas intervistimit, me vendim të prokurorit. Po ashtu në Prishtinë, u arrestua një burrë tjetër, i dyshuar për dhunë në familje ndaj një gruaje. Viktimës iu ofrua trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.
Në Podujevë, një grua raportoi në polici se ishte viktimë e dhunës në familje nga një burrë. Pas intervistimit, viktima u largua nga shtëpia, ndërsa i dyshuari mbetet në kërkim policor.
Një rast i dhunës në familje u raportua edhe në Pejë. Një grua njoftoi policinë se ishte dhunuar nga një burrë. I dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit. Viktima kërkoi urdhër mbrojtës dhe u largua nga vendbanimi i saj.
Në Gjakovë, një grua raportoi se ishte kërcënuar përmes telefonit nga një burrë. I dyshuari u arrestua dhe, pas inicimit të rastit dhe konsultimit me prokurorin, u dërgua në mbajtje.
Ndërsa në Rahovec, një grua denoncoi se një burrë kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe personave të tjerë. I dyshuari, i cili sipas policisë ishte nën ndikimin e alkoolit, u arrestua dhe u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit.
Një rast tjetër u regjistrua në Malishevë, ku një grua raportoi se një burrë kishte shkuar në lokalin ku ajo punonte dhe e kishte kërcënuar verbalisht. Pas intervistimit, i dyshuari u lirua me vendim të prokurorit, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Përveç këtyre rasteve, në Ranillukë u raportua edhe një incident i klasifikuar si dhunë në familje dhe lëndim i lehtë trupor. Sipas policisë, pas një mosmarrëveshjeje, një burrë u sulmua nga dy persona. Ai pësoi lëndime trupore dhe mori trajtim mjekësor. Të dyshuarit u liruan me vendim të prokurorit, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.
