Shqipëria ka regjistruar rastin e parë të malaries tek një shtetas i huaj. Ai është diagnostikuar me sëmundjen dhe aktualisht ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive.
Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel, pacienti është nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtimin e nevojshëm. Ndërkohë, dyshohet edhe për një rast tjetër, por ende nuk ka të dhëna të konfirmuara zyrtarisht për të.
Ky rast i konfirmuar ka rikthyer vëmendjen te malaria, një sëmundje infektive që prej dekadash nuk është transmetuar në mënyrë endemike në Shqipëri. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), rastet e regjistruara më parë në vend kanë qenë kryesisht të importuara nga individë që kanë udhëtuar në zona ku malaria është e përhapur.
Malaria transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe mund të shkaktojë temperaturë të lartë, të dridhura, dhimbje koke dhe komplikacione të rënda, nëse nuk trajtohet në kohën e duhur.
