Kombëtarja e Kosovës ka shënuar një rënie të lehtë prej dy pozicionesh në renditjen e fundit të FIFA-s, duke zbritur në vendin e 78-të në botë. Ky ndryshim vjen pas rezultateve të fundit të regjistruara në ndeshjet ndërkombëtare.
Aktualisht, “Dardanët” pozicionohen me gjithsej 1322.10 pikë. Rënia vjen kryesisht si pasojë e mbylljes së fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, ku disfata 3-0 ndaj Republikës së Irlandës në Dublin pati ndikim të drejtpërdrejtë në pikët e grumbulluara.
Para kësaj humbjeje, Kosova kishte barazuar pa gola (0-0) me Izraelin. Gjithashtu, më herët, “Dardanët” kishin regjistruar barazime edhe ndaj Austrisë dhe Izraelit.
Në ndeshjen kundër Irlandës në Dublin, situata u rëndua për Kosovën që në minutën e 26-të, kur mbrojtësi Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq për prekje të topit me dorë në vijën e portës. Nga penalltia e pasuar, Troy Parrott shënoi golin e parë. I njëjti lojtar realizoi sërish në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Jack Moylan vulosi rezultatin përfundimtar 3-0.
Megjithatë, kjo rënie e lehtë nuk e zbeh progresin e përgjithshëm të shënuar nga përfaqësuesja kosovare gjatë viteve të fundit. Vetëm një muaj më parë, në tetor, Kosova kishte arritur në pozitën e 76-të, duke shënuar renditjen më të lartë në historinë e saj.
Tani, fokusi i “Dardanëve” mbetet te rikthimi i rezultateve pozitive në sfidat e ardhshme, me synimin për t’u ngjitur sërish në renditjen botërore. /IndeksOnline/
