**Kuvendi i Kosovës: Vazhdimi i seancës nis me vonesë, Ligji për Specialen në fokus**
Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila ishte paraparë të fillonte në orën 10:00 sot, ka nisur me një vonesë prej rreth një ore. Kjo seancë, e ndërprerë të premten, pritet të trajtojë mes tjerash edhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur gjerësisht si Ligji për Specialen.
Pak para nisjes së seancës, ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, së bashku me Bedri Hamzën, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit, Çitaku deklaroi se palët nuk kanë dallime thelbësore sa i përket përmbajtjes së ligjit, por theksoi se mosmarrëveshjet mbeten ende te procedurat. “Nuk kemi asnjë dallim në përmbajtje. Dallimet i kemi ende në procedurë, diskutimet vazhdojnë”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, për sot është thirrur edhe një seancë e re e Kuvendit të Kosovës, e cila përmban gjithsej 12 pika të rendit të ditës.
