Seanca e Kuvendit të Kosovës, e caktuar të fillonte në orën 10:00, nuk ka nisur ende, siç raporton Ekonomia Online.

Në rendin e ditës të kësaj seance, deputetët pritet të votojnë dy propozim-rezoluta dhe të rishqyrtojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Njëra prej propozim-rezolutave lidhet me interpelancën e zhvilluar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, pas vdekjes së pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesës së përgjithshme të barnave onkologjike.

Propozim-rezoluta tjetër, që do të hidhet në votim, vjen nga një mocion përmbajtjesor për gjendjen aktuale në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Ndërkohë, Kuvendi do të rishqyrtojë Ligjin nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili ishte kthyer për rishqyrtim nga Presidentja e Republikës së Kosovës.