**Rüdiger mbron yjet sulmues të Real Madridit: “A t’i kërkoj Mbappes të bëjë punën time?”**

Antonio Rüdiger, mbrojtësi i Real Madridit, ka folur së fundmi jo vetëm për situatën e tij aktuale dhe të ardhmen në klub, por edhe për mënyrën se si duhet vlerësuar kontributi i yjeve sulmues në lojën e skuadrës madrilene.

Në një intervistë për “The Athletic”, futbollisti gjerman u shpreh i kënaqur me gjendjen e tij, duke deklaruar: “Situata ime është e mirë. Jam i shëndetshëm dhe po luaj.”

Rüdiger la të kuptohet dëshirën për të vazhduar të shkruajë histori me fanellën e bardhë, duke sugjeruar se Real Madridi mund të bëhet klubi më i rëndësishëm në karrierën e tij. “Nëse këtu, te Real Madridi, luaj numrin më të madh të ndeshjeve në karrierën time, atëherë ndoshta mund të them se është klubi i jetës sime,” u shpreh mbrojtësi.

Pjesa më interesante e intervistës ishte diskutimi mbi angazhimin mbrojtës të yjeve sulmues të Real Madridit, veçanërisht në kontekstin e një lojtari si Kylian Mbappé. Rüdiger doli në mbrojtje të sulmuesve, duke theksuar kontributin e tyre vendimtar në fazën sulmuese.

“A duhet t’i kërkoj një lojtari si Mbappé, i cili ka shënuar 100 gola për Real Madridin në vetëm dy vjet, të bëjë punën time? Kjo nuk ka asnjë kuptim,” deklaroi gjermani, duke argumentuar se roli i tij kryesor është shënimi i golave.

Ai solli në vëmendje edhe periudhën kur në Madrid luanin Gareth Bale, Karim Benzema dhe Cristiano Ronaldo, duke theksuar sukseset e tyre të mëdha. “Shikoni historinë. Si ishte situata kur ishin Bale, Benzema dhe Cristiano? Shikoni sukseset që arritën. Nuk kemi nevojë të flasim vazhdimisht për angazhimin e tyre në fazën defensive,” përfundoi Rüdiger.