**KEK-u Pezullon Përkohësisht Protestën për Rritjen e Pagave**
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë pezulluar përkohësisht protestën e paralajmëruar lidhur me kërkesat për rritje dhe barazim të pagave, si dhe për përfshirjen e pagës së 13-të. Lajmin e raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, bëri të ditur se vendimi për pezullimin e protestës u mor pas takimeve me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut, të cilët shprehën gatishmëri për të shqyrtuar kërkesat e punëtorëve.
Jashari theksoi se protesta ishte paralajmëruar për dy kërkesa kryesore: rritjen dhe barazimin e pagave, si dhe përfshirjen e pagës së 13-të. Ai shpjegoi se gjatë javës së kaluar, sindikata ishte ftuar në takime me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut.
“Kemi zhvilluar takime të përbashkëta për shqyrtimin e kërkesave të sindikatës, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje,” tha Jashari. Sipas tij, menaxhmenti dhe bordi kanë shprehur gatishmëri për të shqyrtuar kërkesat. Më pas, me mirëkuptimin e të dy palëve, janë mbajtur takime me punëtorët në të tre divizionet kryesore – prodhimi i qymyrit, Termocentrali Kosova A dhe Termocentrali Kosova B – ku u mor konfirmimi për pezullimin e përkohshëm të protestës, derisa kërkesat të shqyrtohen plotësisht.
“Në momentin që do të ketë rezultate të kënaqshme për punëtorët, ne do t’i njoftojmë jo vetëm ata, por edhe publikun,” deklaroi Jashari, duke shtuar se bisedimet janë në vazhdim. Ai paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një zgjidhje konkrete dhe nuk ka rezultate të matshme, protesta mbetet opsion i hapur. “Fakti që e kemi pezulluar përkohësisht protestën tregon se kemi një afat të kufizuar për rezultate, në mënyrë që t’i japim hapësirë dialogut,” sqaroi ai. “Nëse nuk ka dialog efektiv dhe nuk shfrytëzohen të gjitha mundësitë për shqyrtimin e kërkesave pa rezultate konkrete, atëherë pa dyshim që protesta do të jetë opsioni ynë.”
