Tre persona janë arrestuar në Fushë Kosovë, të dyshuar për kryerjen e së paku tetë vjedhjeve të rënda në banesa gjatë muajve tetor dhe nëntor të këtij viti.
Pas një hetimi dymujor, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë Kosovë ka realizuar një operacion më 18 nëntor, ku janë arrestuar tre shtetas të Kosovës, A.B., F.H. dhe M.K.
“Gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026, personat e arrestuar dyshohet të kenë kryer vjedhje të rënda në banesa në Fushë Kosovë. Bazuar në vlerësimet fillestare, dëmi i përgjithshëm material tejkalon vlerën prej 60,000 eurosh, duke përfshirë para të gatshme, stoli ari, sende me vlerë, si dhe armën zyrtare të një zyrtari policor”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të organeve të drejtësisë, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku ka gjetur dhe sekuestruar:
Stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë e dyshuar për përdorim në vepra penale, dy telefona, një sasi e konsiderueshme e substancës së dyshuar si marihuanë etj..
Hetimet e mëtejme çuan policinë te një argjendari në lagjen Dardania në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura, me ç’rast pronari i saj është shoqëruar në stacion policor. Gjithashtu, në qytetin e Prizrenit është lokalizuar dhe sekuestruar një sasi tjetër ari.
Ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për vjedhje të rëndë, posedim të paautorizuar të armëve dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve. Pas intervistimit personat e arrestuar, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar ne mbajtje për 48 orë./Indeksonline/
