Kryeministri Albin Kurti dhe deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, janë përplasur ashpër në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, gjatë kohës së pyetjeve drejtuar qeverisë. Debati u fokusua rreth çështjes së Kodit Civil, veçanërisht fertilizimit artificial, dhe ndikimit të tij në njohjen e prindërve biologjikë nga fëmijët.

Deputeti Rrahmani iu drejtua kryeministrit Kurti me pyetjen: “Pse është ky nxitim i qeverisjes suaj për të ndikuar në pengimin e fëmijëve për të njohur prindin e tyre biologjik?”, duke shtuar akuza se qeveria po vepron “kundër familjes”.

Kryeministri Kurti i hodhi poshtë me forcë këto pretendime. “Pretendimet se ne fshehim atësinë për ndokënd janë të pavërteta. Akuzat se ne angazhohemi kundër familjes janë pikënisje e gabuar dhe absurde,” deklaroi Kurti. Ai i sugjeroi deputetit Rrahmani të caktojë një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të diskutuar çështjen në detaje dhe për të informuar publikun drejt.

Kurti më pas theksoi përkushtimin e qeverisë së tij ndaj familjeve, nënave dhe fëmijëve. “S’ka qeveri në Kosovën e pasluftës që ka bërë më shumë për nënat dhe fëmijët, që ka bërë më shumë për familjet,” tha ai. Kryeministri renditi disa nga masat konkrete, si mbështetja financiare për nënat lehona, e cila tashmë është rritur në 500 euro për gjashtë muaj (nga 325 euro), si dhe dyfishimi i shtesave për fëmijë. Ai përmendi se si pasojë e këtyre masave, 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre.

“E tash të më quash mua se jam kundër familjes, për mua është absurde,” shtoi Kurti, duke i kërkuar Rrahmanit të jetë më “kreativ” në gjetjen e temave për kritikë, duke theksuar se ka shumë fusha ku qeveria mund të kritikohet, por jo te çështjet që lidhen me nënat, fëmijët dhe familjen.

Pas përgjigjes së kryeministrit, deputeti Rrahmani deklaroi se Kurti nuk ishte përgjigjur saktësisht në pyetjet e tij.