Në kuadër të konferencës “Connect & Innovate”, janë prezantuar gjetjet kryesore të Studimit mbi Ekosistemin e Inovacionit në Kosovë, i cili analizon gjendjen aktuale të inovacionit në vend, sfidat me të cilat përballet ky sektor, mundësitë për zhvillim dhe rekomandimet për forcimin e ekosistemit. Në konferencë u theksua rëndësia e inovacionit për zhvillimin ekonomik të Kosovës, nevoja për krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të mbështetjes së bizneseve inovative, si dhe domosdoshmëria e investimeve më të mëdha në kërkim dhe zhvillim, arsim dhe aftësi profesionale, raporton Ekonomia Online.

Rinor Beka nga kabineti i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, tha se zhvillimi i ekosistemit të inovacionit është ndër katër prioritetet kryesore të ministrisë për katër vitet e ardhshme. Ai theksoi se krahas përfundimit të kornizës ligjore dhe rregullative, synohet krijimi i mekanizmave dhe instrumenteve konkrete që do ta mbështesin këtë sektor.

“Në programin e ministrisë për katër vitet që vijnë, zhvillimi i ekosistemit të inovacionit është një prej prioriteteve kryesore, një nga katër prioritetet. Synimi është që, krahas ndërtimit dhe finalizimit të kornizës ligjore e rregullative, të vazhdohet puna drejt krijimit të mekanizmave dhe instrumenteve specifike që do ta mbështesin zhvillimin e këtij ekosistemi. Strategjinë e kemi në fazën pothuajse finale. Ligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi ka kaluar leximin e parë dhe, në momentin që po flasim, po punohet në komisionin parlamentar me amendamentet e fundit. Presim që ta përmbyllim brenda këtij viti. Ky është gjithashtu një nga zotimet në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa më pas do të vazhdohet me përgatitjen e akteve nënligjore. Edhe në këtë proces jemi duke punuar së bashku me ekipin e ECIKS-it. Njëri prej mekanizmave ndoshta kryesorë është Këshilli Kombëtar për Inovacion, i cili pritet të shërbejë si trup këshillëdhënës, por edhe mbikëqyrës për të gjitha programet që do t’i zhvillojmë në këtë fushë”, deklaroi Beka.

Ai bëri të ditur se, përveç kornizës ligjore, ministria është duke punuar edhe në ndërtimin e institucioneve që do të jenë përgjegjëse për zbatimin e saj. Në këtë drejtim, ai përmendi funksionalizimin e Agjencisë së re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, si dhe planifikimin e Fondit për Inovacion.

“Krahas kornizës ligjore, po punohet edhe në ndërtimin e institucioneve që do ta zbatojnë këtë kornizë. Agjencia e re për Ndërmarrësi dhe Inovacion është gjithashtu në proces të funksionalizimit. Aty është krijuar një departament relativisht i madh për pjesën e inovacionit dhe aty është menduar të ankorohet edhe Fondi për Inovacion, i cili fillimisht do të jetë brenda ministrisë, me një vlerë relativisht të vogël. Megjithatë, në fazat e mëvonshme, së bashku me partnerët tanë, synimi është të shqyrtohet mundësia e zgjerimit të tij, ndoshta edhe e pavarësimit të plotë, si dhe ofrimi i qasjes për investitorët engjëj (angel investors), fondet e kapitalit sipërmarrës (venture capitalists) dhe krijimi i një fondi që do të ofronte më shumë stimuj për sektorin privat, në mënyrë që një pjesë të investimeve të tyre ta orientonin edhe në fushën e kërkimit dhe zhvillimit”, tha ai.

Sa u përket instrumenteve konkrete të mbështetjes, Beka theksoi se synohet ofrimi i granteve, programeve të inkubimit dhe përshpejtimit, mentorimit dhe mbështetjes për qasje në tregjet ndërkombëtare.

“Në lidhje me instrumentet, kur e shohim ligjin e ri, ideja është të kemi grante, programe të inkubimit, programe të përshpejtimit, mentorim, si dhe qasje e mbështetje për hyrje në tregjet ndërkombëtare. Për këto instrumente, mbështetja e partnerëve me të cilët e kemi dizajnuar këtë qasje është e domosdoshme. Presim që Fondin për Garanci Kreditore ta kemi si partner, me idenë që ndoshta të krijojmë një trekëndësh ndërmjet granteve të ministrisë, fondit dhe bankave komerciale, me synimin që të shumëfishojmë ndikimin e këtyre instrumenteve. Gjithashtu, jemi duke punuar edhe në pjesën e parqeve industriale dhe teknologjike. Po punojmë me kolegët në ITP në Prizren për të parë se si mund ta transformojmë atë dhe ndoshta edhe statusin e tij ta lidhim më shumë me atë të një parku teknologjik”, theksoi Beka.

Kujtim Dobruna, partner i lartë në ECIKS/EnInGeP, në fjalën e tij theksoi se inovacioni është parakusht për zhvillimin e çdo ekonomie dhe se Kosova ka nevojë për një model të ri ekonomik, i cili do të mbështetet më shumë në produktivitet, konkurrueshmëri dhe investime në teknologji.

“Besoj se pajtoheni se asnjë ekonomi nuk zhvillohet pa inovacion. Për Kosovën kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me modelin tonë të zhvillimit ekonomik. Deri më sot, e dimë se rritja ekonomike dhe zhvillimi janë bazuar kryesisht në paratë e diasporës, në konsum dhe në shpenzime publike. Ky model është e vërtetë që i ka dhënë ekonomisë një bazë dhe e ka ndihmuar përmirësimin e standardit jetësor. Por është po ashtu e vërtetë se ky model nuk mjafton për të siguruar produktivitet të lartë, kompani konkurruese dhe vende të qëndrueshme pune. Prandaj, për një fazë të re të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, nevojitet një sektor privat më dinamik, me kompani që investojnë në teknologji, përmirësojnë produktet dhe proceset, punojnë me më shumë efikasitet dhe hyjnë në tregje të reja. Ky është në thelb inovacioni në biznes. Edhe kontributi i diasporës mund të marrë, tash e tutje, një trajtë tjetër. Krahas mbështetjes së familjeve, kapitali, dija, përvoja dhe lidhjet e saj mund të orientohen më shumë drejt investimeve produktive, transferimit të teknologjisë dhe qasjes në tregjet ndërkombëtare”, tha Dobruna.

Ai shpjegoi se studimi është realizuar në kuadër të projektit EnInGeP, të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim, të bashkëfinancuar nga MINTI dhe të zbatuar nga CARE International dhe ECIKS.

“Studimi që po prezantojmë sot është zhvilluar nga ky këndvështrim. Ai është përgatitur në kuadër të projektit EnInGeP, të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim, të bashkëfinancuar nga MINTI dhe të zbatuar nga CARE International dhe ECIKS. Studimi është bërë në kuadër të punës sonë për krijimin e Fondit të Inovacionit të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kemi përgatitur studimin e fizibilitetit dhe udhërrëfyesin për fondin, kemi kontribuar në Ligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, kemi hartuar aktet e nevojshme nënligjore dhe kemi mbështetur përgatitjen operative të fondit. Gjatë punës sonë kemi vërejtur se vetëm financimi nuk mjafton. Fondi do të veprojë brenda një sistemi ku përfshihen institucionet publike, bizneset, universitetet, organizatat mbështetëse, bankat dhe partnerët zhvillimorë. Prandaj, duhet që qysh në fillim të kuptojmë sa mirë bashkëpunojnë këta aktorë mes vete dhe sa është ky sistem në gjendje t’i kthejë idetë, dijen dhe teknologjinë në rezultate të mirëfillta ekonomike”, theksoi Dobruna.

Sipas tij, studimi ofron një analizë gjithëpërfshirëse të politikave, institucioneve, financimit, sektorit privat, kapaciteteve akademike dhe kërkimore, digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër. Po ashtu, ai trajton edhe përfshirjen e grave, të rinjve, komuniteteve joshumicë dhe bizneseve nga rajone të ndryshme në mundësitë për inovacion.

“Studimi që po shpalosim sot trajton politikat, institucionet, financimin, sektorin privat, kapacitetet akademike dhe kërkimore, digjitalizimin dhe tranzicionin e gjelbër. Ai shqyrton edhe qasjen e grave, të rinjve, komuniteteve joshumicë dhe bizneseve nga rajone të ndryshme në mundësi për inovacion. Analiza mbështetet në hulumtim dokumentar, në intervista me aktorët e ekosistemit dhe në raste konkrete të ndërmarrjeve, përmes studimeve të rasteve (case studies). Për herë të parë, performanca e Kosovës në fushën e inovacionit krahasohet me ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, duke marrë për bazë indikatorët nga Indeksi Global i Inovacionit”, deklaroi ai.

Gjetjet kryesore të Studimit për Inovacionin në Kosovë u prezantuan nga Drenushë Berisha, Menaxhere e Ndërhyrjes në ECIKS/EnInGeP, e cila paraqiti sfidat kryesore që lidhen me zhvillimin e aftësive njerëzore, arsimin, kërkimin shkencor dhe financimin e kërkim-zhvillimit.

Duke folur për kapacitetet njerëzore, Berisha theksoi se, ndonëse Kosova ka një numër të konsiderueshëm të diplomuarish në arsimin e lartë, vendi vazhdon të ketë mungesë të aftësive të specializuara që janë të domosdoshme për inovacion.

“Në veçanti sa i përket Kosovës, ne e dimë që kemi numër të madh të diplomuarve në arsim të lartë, e pastaj pyetja që lind natyrshëm është: a po arrin Kosova t’i krijojë aftësitë e specializuara që duhen për të inovuar? E këtu pamja është ndryshe, sepse kur flasim për aftësitë jemi shumë prapa. Për rezultatet e PISA-s veç e kemi diskutuar javën e kaluar. Të gjithë e dinë që Kosova momentalisht renditet pothuajse e fundit në rajon. Jemi 70 pikë më poshtë sesa Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi, dhe 120 pikë më pak sesa mesatarja e OECD-së. Nëse nxënësit tanë nuk po arrijnë t’i zhvillojnë aftësitë e nevojshme gjatë shkollimit formal, një mundësi tjetër është të angazhohen në trajnime apo forma të tjera të ngritjes së kapaciteteve gjatë jetës. Por edhe këtu jemi shumë prapa. Vetëm 2.3 për qind e të rriturve, apo personave të moshës 25–64 vjeç, kanë deklaruar se kanë marrë pjesë në një trajnim për ngritjen e kapaciteteve të tyre”, u shpreh Berisha.

Ajo identifikoi dy sfida kryesore në këtë drejtim: përmirësimin e aftësive bazë të nxënësve gjatë shkollimit dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rriturve në të nxënit gjatë gjithë jetës.

“Kështu që këtu mund t’i vërejmë dy sfida kryesore. E para është t’i rrisim aftësitë bazë të nxënësve gjatë shkollimit, ndërsa tjetra është t’ia rrisim pjesëmarrjen e të rriturve në të nxënit gjatë gjithë jetës”, theksoi ajo.

Një tjetër fushë ku studimi evidenton ngecje të konsiderueshme është kërkimi dhe zhvillimi (R&D), ku, sipas Berishës, Kosovës i mungojnë njëkohësisht burimet e përgatitura njerëzore dhe financimi i mjaftueshëm.

“Te R&D ëtu e dimë që na nevojiten dy gjëra: për kërkim dhe zhvillim nevojiten njerëz të përgatitur dhe financim i mjaftueshëm. Edhe këtu, për fat të keq, jemi prapa te të dyja. Njëzet për qind e të diplomuarve në Kosovë kanë diplomuar në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM), krahasuar me 25 për qind në Bashkimin Evropian. Ky hendek bëhet akoma më i dukshëm kur flasim për të sapodiplomuarit me doktoratë në STEM. Për 1.000 të rritur në Kosovë kemi vetëm 0.03 të sapodiplomuar me doktoratë në STEM. Diferenca me BE-në është shumë e madhe, pasi atje kjo shifër është 0.9. Kjo do të thotë se dallimi është rreth 30 herë më i madh në numrin e të sapodiplomuarve me doktoratë në STEM, krahasuar me Kosovën. Edhe te financimi jemi prapa. Kosova ndan 0.1 për qind të Bruto Produktit Vendor për kërkim dhe zhvillim, krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, e cila është 0.74 për qind”, deklaroi Berisha.

Sipas saj, mungesa e kuadrove të përgatitura dhe financimit të mjaftueshëm ndikon drejtpërdrejt edhe në rezultatet shkencore të vendit.

“Në mungesë të njerëzve të përgatitur dhe financimit të mjaftueshëm, natyrisht që edhe rezultatet i kemi të kufizuara. Vetëm 3.64 për qind e publikimeve tona shkencore radhiten ndër 10 për qind më të cituarat në botë. Por këtu duhet ta kemi parasysh një fakt: megjithëse kjo shifër duhet të jetë më e madhe, publikimet nga Kosova, me autorë nga Kosova, momentalisht regjistrohen nën Serbinë në bazën e të dhënave Scopus”, tha Berisha.