**Debati për Lojërat Mesdhetare 2030: Rama akuzon Qeverinë e Kurtit për mospërmbushje detyrash**

Pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me Lojërat Mesdhetare 2030 dhe rrezikun e humbjes së organizimit të tyre nga Kosova, duke nënkuptuar se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po has në vështirësi dhe se bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës nuk është i kënaqshëm, ka reaguar ashpër Rama.

Në reagimin e tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se arsyeja e anulimit të takimit me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare është përgjegjësia e Qeverisë së Kurtit. Sipas Ramës, Qeveria nuk ka kryer pagesat e nevojshme, nuk ka dërguar emrat e delegacionit dhe nuk u është përgjigjur emaileve të dërguara nga komiteti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkroi duke iu drejtuar Kurtit: “Kryeministër, paske provuar t’ia bartësh Prishtinës fajin për dështimin potencial të ‘Lojërave Mesdhetare’!”

Ai sqaroi më tej se në komunikimin e fundit, “Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare” ka specifikuar tri arsye kryesore për anulimin e takimit:

1. Pagesa nuk është kryer.
2. Emrat e delegacionit nuk janë dërguar.
3. Nuk është kthyer përgjigje emaileve.

Rama theksoi se përgjegjësia për kryerjen e këtyre detyrave i takon ekskluzivisht Qeverisë, duke e cilësuar situatën si “kaq të thjeshtë”.