**OSBE kërkon më shumë dialog për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore në Kosovë**
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) njoftoi se ka zhvilluar një takim me partnerët e saj, ku u diskutua puna e organizatës në Zonat e Veçanta të Mbrojtura në Kosovë.
Nëpërmjet një postimi në platformën X (ish-Twitter), OSBE theksoi pritshmërinë e saj për takime të rregullta, me qëllim forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve, si dhe adresimin e çështjeve të hapura.
“OSBE informoi partnerët për punën e saj në zonat e veçanta të mbrojtura. Si anëtare e Këshillit Zbatues dhe Monitorues (IMC), presim me padurim takimet e rregullta, të cilat synojnë zhvillimin e dialogut ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve për zgjidhjen e çështjeve dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë. Së bashku”, citohet OSBE në postimin e saj.
Organizata nënvizoi rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë së pasur kulturore dhe fetare në vend.
