**LDK: Mbështetja për Ligjin e Dhomave të Specializuara varet nga konsultimi me BE-në**

**Prishtinë** – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij mund të mbështesë Ligjin e ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse Bashkimi Evropian përfshihet dhe konsultonet gjatë procesit të hartimit.

Në një intervistë për emisionin “Intervista Nacionale”, Haziri theksoi se përfshirja e BE-së është thelbësore për hartimin e një ligji të mirë. Ai vlerësoi se vetëm pas një procesi të tillë konsultativ mund të pritet mbështetja e LDK-së për këtë ligj.

“Kjo mund të jetë një mundësi për të hartuar një ligj cilësor dhe për të kryer konsultime me palët e nevojshme, në mënyrë që ky proces të përballohet së bashku,” u shpreh Haziri. Ai shtoi se nëse kjo kërkesë plotësohet, LDK-ja nuk do të hasë vështirësi në votimin e ligjit. “Besoj po, nëse zhduken të gjitha arsyet për të thënë jo, atëherë nuk ka arsye për mosmiratim,” tha ai.

Deputeti i LDK-së bëri me dije se partia e tij, që nga fillimi i procesit të hartimit të ligjit, ka kërkuar respektimin e disa parimeve. “Se çfarë mund të prodhohet brenda një jave – një draft i ri mbi bazën e atij ekzistues apo si rezultat i konsultimeve me BE-në – është një çështje që duhet sqaruar, sepse, siç e theksova, ka histori. Mungesa e një leximi të tretë, ratifikimi apo dekretimi ka shkaktuar probleme procedurale,” tha Haziri, duke dhënë detaje mbi sfidat e kaluara.

“Sinqerisht, kemi thënë se duhet të punohet me kujdes, të punohet në bashkëpunim, dhe të mos ndalohen procese të tilla, sepse realisht LDK-ja qëndron në parimin e drejtësisë, por jo përmes proceseve të padrejta. Nuk mund të vazhdohet të insistohet për drejtësi përmes proceseve të padrejta. Prandaj, duhet siguruar që Dhomat e Specializuara të përmbushin qëllimin për të cilin janë themeluar, Kosova si shtet themelues të ketë rolin e vet dhe të garantojë pavarësinë e gjyqësorit. Këtu qëndron ajo për çfarë kemi vuajtur dhe ndoshta kemi bërë lëshimin më të madh duke e themeluar atë në Hagë,” u shpreh ai.

**Kërkesa për sqarime ndaj VV-së dhe PDK-së**

Në vijim të intervistës, numri dy i LDK-së kërkoi edhe disa sqarime nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) lidhur me këtë ligj.

“Ka disa çështje me interes publik. Pse nuk u dekretua, pse u tërhoq me vendim apo kërkesë të grupit politik? A do të ketë një lexim të tretë apo jo? Proceduralisht duhet të ketë përputhshmëri me ligjin dhe procedurat, veçanërisht nëse është vendosur të shkohet me një ligj të ri. Çfarë nënkupton kjo? A hyn ajo në fazën e konsultimeve intensive me Bashkimin Evropian, pasi BE-ja është ‘elefanti në dhomë’?” pyeti Haziri, duke kërkuar të dijë nëse BE-ja është përfshirë në këtë proces.

“A është hapur procesi i konsultimeve me ta? A kanë pranuar ata parimisht të punojnë intensivisht për të siguruar që ligjet të jenë në përputhje me interesat e Republikës në këtë rast?” përfundoi Haziri.