Bayern Munich ka zhgënjyer në javën e 10-të të Bundesligës, duke barazuar me rezultat 1:1 në shtëpi ndaj Kolnit dhe duke rrezikuar kështu pozitën e parë në tabelën e kampionatit gjerman.
Bavarezët e nisën më mirë takimin dhe qysh në minutën e pestë patën një mundësi të artë për të kaluar në epërsi, por goditja me kokë e Harry Kanet përfundoi në shtyllën e majtë.
Megjithatë, ishte Kolni skuadra që e zhbllokoi rezultatin, në minutën e 12-të, Mikey Moore shfrytëzoi mjaft mirë asistimin e Said El Malas, duke dalë i vetëm përballë portierit dhe duke realizuar për epërsinë 0:1, shkruan IndeksOnline.
Bayerni mori një tjetër goditje të rëndë në minutën e 20-të, kur Harry Kane u detyrua ta lërë fushën e lojës për shkak të një lëndimi, ndërsa në vend të tij u inkuadrua Tom Bischof.
Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany arriti të rikthehej në lojë në minutën e 37-të, Nathaniel Brown pranoi një pasim të bukur nga Bischof, depërtoi drejt qendrës dhe me një goditje të fuqishme e dërgoi topin në këndin e poshtëm të portës për 1:1.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat patën mundësi të mira për të shënuar. Fillimisht, Lennart Karl rrezikoi për Bayernin në minutën e 54-t, por goditja e tij përfundoi fare pranë shtyllës.
Kolni ishte shumë pranë golit të dytë katër minuta më vonë, kur Linton Maina doli i lirë para portës, por portieri Jonas Urbig reagoi shkëlqyeshëm për ta shpëtuar skuadrën vendase.
Në po të njëjtën minutë, edhe Said El Mala pati një tjetër rast të mirë, por nuk arriti ta mposhtte Urbigun.
Në vazhdim, trajneri Kompany bëri disa ndryshime në formacion, duke inkuadruar në lojë edhe Jamal Musialan, por Bayerni nuk arriti ta gjente golin e fitores, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme deri në fund.
Me këtë barazim, Bayern Munich shkon në kuotën e 22 pikëve dhe rrezikon ta humbasë pozitën e parë në tabelë, nëse Borussia Dortmundi e fiton ndeshjen e saj të kësaj jave. /IndeksOnline/
