Antonio Conte ka zbuluar se si i përdori Andrea Pirlon dhe Gianluigi Buffonin për t’i dërguar një mesazh skuadrës së Juventusit për rëndësinë e disiplinës.
“Madje, në çdo klub tjetër e quaja ‘Ligji i Pirlos’”, tha Conte.
Trajneri italian dha një intervistë të gjatë në podcastin “Cronache di Spogliatoio”, ku foli për karrierën e tij si trajner, e cila mori hov të madh pikërisht te Juventusi.
Conte e fitoi titullin e Serie A në dy sezonet e para në krye të Juventusit, në një klub që po përpiqej të rikthehej në nivelet e dikurshme dhe që më pas do të fitonte nëntë tituj radhazi të kampionit të Italisë.
“Milan e lejoi Pirlon të largohej si lojtar i lirë dhe kjo ishte një fat i madh për ne”, tha Conte.
“Allegri e kishte fituar titullin dhe dëshironte Mark van Bommelin, kështu që Andrea u bashkua me ne me një motivim të jashtëzakonshëm. Ai përfundonte çdo seancë stërvitore i rraskapitur, por e bënte punën e tij. Ta shihja duke punuar në atë mënyrë ishte thelbësore për mua dhe metodën time të punës”.
Megjithatë, ishte një moment me Pirlon që vendosi një precedent të cilin Conte do ta mbante me vete gjatë gjithë pjesës tjetër të karrierës së tij.
“Një ditë vendosa ta zëvendësoja dhe ai shkoi direkt në zhveshtore. Mediat më pyetën për këtë në konferencën për shtyp, sepse natyrisht mezi po e prisnin.
“Unë thashë se nga ai moment do ta zbatonim ‘Ligjin e Pirlos’. Që nga ajo ditë, çdo lojtar që zëvendësohej duhej të shkonte dhe të ulej në bankinë, përveç rastit kur ndodhej në një ambulancë rrugës për në spital.
“Ishte një mënyrë për t’u përballur me problemin dhe për të mos u fshehur prej tij. Bëhej fjalë për një kampion të jashtëzakonshëm, por unë nuk mund ta trajtoja ndryshe nga të tjerët”.
Të njëjtën metodë Conte e përdori te Juventusi edhe me një tjetër legjendë, heroin e Italisë, Gianluigi Buffon. Ky rast tregoi se sa seriozisht e merrte trajneri çdo detaj që në verën e vitit 2011.
“Sapo isha bashkuar me Juventusin dhe ishim në fazën përgatitore. Po organizonim dy ndeshje miqësore kundër një skuadre lokale. Ndeshjen e parë e fituam 18-1, ndërsa të dytën 20-1.
“Buffon luajti në pjesën e parë, pastaj në vend të tij hyri Marco Storari. Para se t’ua jepja lojtarëve dy ditë pushim, i kërkova menaxherit të skuadrës që t’i mblidhte të gjithë, sepse dëshiroja të mbaja një fjalim para tyre. Por Buffon ishte larguar tashmë dhe ishte rrugës për në Torino.
“Kërkova që ta telefononin. Ai kërkoi falje, pasi nuk e dinte se do të ndodhte diçka e tillë, dhe e ktheu veturën për t’u rikthyer. Unë i qortova lojtarët, sepse edhe pse fituam 20-1, në të dyja ndeshjet pranuam gol që në fillim. Nuk mund ta lejonim një qasje të tillë.
“Skuadra duhej ta kuptonte se edhe Buffon duhej t’i respektonte rregullat. Mesazhi nuk do të kishte qenë aq efektiv nëse edhe ai nuk do të ishte i pranishëm”, përfundoi Conte./GazetaExpress/
