Britania dhe BE-ja arrijnë marrëveshje kyçe, shtyjnë çështjen e tarifave universitare
Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje për lehtësimin e tregtisë së ushqimeve dhe nxitjen e shkëmbimit të të rinjve, me synim ripërtëritjen e marrëdhënieve dypalëshe. Kjo u konfirmua gjatë një samiti të zhvilluar të premten. Megjithatë, vendimi për tarifat universitare u shty, ndërsa diskutimet më të gjera mbi marrëdhëniet afatgjata mbeten të hapura.
Dhjetë vjet pas votimit të Britanisë për t’u larguar nga blloku me 27 shtete, tensionet mes palëve janë zbutur ndjeshëm. Të dyja palët theksojnë nevojën për një aleancë më të ngushtë, në një kohë kur rendi botëror po pëson transformime të thella. Këto transformime vijnë si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, rritjes së proteksionizmit tregtar nga SHBA-ja, dominimit të Kinës në zinxhirët e furnizimit me minerale kritike, si dhe tensioneve gjeopolitike, veçanërisht në Lindjen e Mesme, raporton Reuters.
“Marrëveshja që kemi arritur së bashku është fitore për të dyja palët,” deklaroi kryeministri britanik, Andy Burnham, në një konferencë për shtyp pas samitit.
Palët arritën konsensus për procedurat e kontrollit sanitar të ushqimeve, lëvizshmërinë e të rinjve dhe skemat e tregtimit të karbonit. Megjithatë, ata shtynë me gjashtë muaj marrëveshjen për uljen e tarifave universitare, një çështje e kërkuar me këmbëngulje nga BE-ja, por ndaj së cilës Britania ka shfaqur rezistencë.
