Arsyet shkencore pse njerëzit tradhtojnë
Kohëzgjatja e një lidhjeje nuk ka ndikim nëse një partner do të tradhtojë apo jo. Sipas një studimi të ri, personat që kanë pasur një numër të lartë partnerësh seksualë ose kanë natyrë impulsive, janë më të prirur të tradhtojnë.
Megjithëse çdo marrëdhënie dashurie është unike, studiuesit në Universitetin e Queensland kanë shqyrtuar faktorët që tregojnë se cilët individë janë më të predispozuar për pabesi.
Të dhënat e publikuara zbulojnë se personat impulsivë tradhtojnë më lehtë, pasi nuk marrin kohë të reflektojnë mbi një situatë, por veprojnë menjëherë bazuar në mendimet dhe emocionet e tyre.
Përveç kësaj, ata që kanë pasur më shumë partnerë në të kaluarën rezultojnë më jobesnikë, pasi mund të shohin më lehtë mundësi për të krijuar lidhje të tjera, ndoshta për shkak të përvojës së tyre në këtë fushë.
Studimi u krye me 123 pjesëmarrës, të gjithë heteroseksualë, të moshës 17 deri në 25 vjeç, dhe secili prej tyre ishte në një lidhje dashurie.
Nga ky studim doli se burrat janë më të prirur të tradhtojnë seksualisht, ndërsa të dyja gjinitë shfaqin një nivel të ngjashëm pabesie kur bëhet fjalë për puthjet.
