Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona nën dyshimin për veprimtari penale të lidhura me trafikimin e narkotikëve. Gjatë këtij operacioni, u konfiskuan mbi 14 kilogramë marihuanë dhe pajisje të tjera.
Aksioni u zhvillua në tri lokacione të ndryshme: në Prishtinë, Gjakovë dhe në Pikëkalimin Kufitar në Mutivodë. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitë relevante policore arrestuan katër burra kosovarë të dyshuar.
Saktësisht, u gjetën dhe u konfiskuan 14 kilogramë e 815 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë. Përveç drogës, policia sekuestroi edhe katër telefona celularë, dy pistoleta, 62 fishekë, si dhe shuma prej 9,120 eurosh dhe 350 frangash zvicerane në para të gatshme.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
