**Të miturit e Qendrës Korrektuese vizitojnë Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në prag të 28 Nëntorit**
Me rastin e afrimit të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, një grup të miturish nga Qendra Edukuese Korrektuese kanë kryer një vizitë edukative në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Gjatë kësaj vizite, të miturit u njohën nga afër me historinë e lavdishme të familjes Jashari dhe sakrificën e tyre sublime për lirinë e Kosovës.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), pjesëmarrësit mësuan më shumë për qëndresën heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjarëve të tij, të cilët mbeten simbole të guximit, sakrificës dhe atdhedashurisë.
Përveç dimensionit historik, kjo vizitë kishte edhe një qëllim të thellë edukativ: promovimin e vlerave njerëzore dhe qytetare si respekti, dinjiteti, përgjegjësia, guximi dhe dashuria për vendin.
Qendra Edukuese Korrektuese thekson se, përmes aktiviteteve të këtij lloji, synon të kontribuojë në edukimin dhe formësimin e të miturve, duke i nxitur ata të reflektojnë mbi ngjarjet historike dhe rëndësinë e vlerave që ndërtojnë një shoqëri të përgjegjshme.
Vizita në Prekaz, siç u shpjegua, shërbeu si mundësi për të kuptuar më mirë rrugën drejt lirisë dhe sakrificën e bërë për të. Në këtë mënyrë, u përçua edhe mesazhi se kujtesa historike dhe identiteti kombëtar duhet të mbeten pjesë thelbësore e vetëdijes së brezave të rinj.
